Gratë shqiptare punojnë më shumë pa pagesë, burrat vetëm 50 minuta në ditë
Raporti i UN Women zbulon se gratë shqiptare punojnë mbi 5 orë në ditë pa pagesë, ndërsa burrat vetëm 50 minuta, duke reflektuar një shpërndarje të pabarabartë të përgjegjësive familjare.

Gratë shqiptare i kushtojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës së tyre punës së papaguar, duke përfshirë gatimin, pastrimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve e familjarëve. Sipas raportit të UN Women, gratë shqiptare i kushtojnë 21.74% të kohës së tyre ditore punës së papaguar, ndërsa burrat vetëm 3.47%. Kjo diferencë është më shumë se gjashtëfish, duke reflektuar një shpërndarje të pabarabartë të përgjegjësive familjare.
Punët e papaguara familjare kanë pasoja të drejtpërdrejta në pjesëmarrjen në tregun e punës, të ardhurat dhe mundësitë për zhvillim profesional. Në vitin 2024, 30.7% e grave ishin jashtë tregut të punës, krahasuar me 17.7% të burrave. Mes personave joaktivë në tregun e punës, një në katër gra raportonte punët e shtëpisë si përgjegjësinë kryesore, kundrejt më pak se 1% të burrave.
Pabarazia nuk kufizohet vetëm te gratë që nuk punojnë. Edhe për ato që janë të punësuara, angazhimi i lartë në punët e shtëpisë dhe kujdesin familjar kufizon kohën në dispozicion për zhvillim profesional, avancim në karrierë dhe angazhim në aktivitete të tjera ekonomike. Në një treg pune që përballet me tkurrjen e fuqisë punëtore, përgjegjësitë e papaguara familjare përbëjnë një pengesë për shfrytëzimin e plotë të kapitalit njerëzor në vend.
Raporti i UN Women thekson se Shqipëria nuk ka ende një strategji gjithëpërfshirëse për ekonominë e kujdesit, ndërsa politikat që lidhen me këtë sektor janë të shpërndara në dokumente dhe ligje të ndryshme. Megjithatë, miratimi i ligjit nr. 64/2025 për Barazinë Gjinore është një zhvillim i rëndësishëm, i cili njeh zyrtarisht punën e papaguar si kontribut në zhvillimin e shoqërisë dhe familjes. Ligji parashikon gjithashtu promovimin e orareve fleksibël, punës me kohë të reduktuar dhe punës në distancë për të lehtësuar balancën ndërmjet jetës profesionale dhe asaj familjare.