Tre shqiptarë arrestohen në Spanjë për grabitje në vila luksoze
Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Spanjë për dyshime se kanë kryer rreth 20 grabitje në vila dhe banesa luksoze në rajonin e Galicisë.

Tre shtetas shqiptarë, të moshës 31 deri në 32 vjeç, janë arrestuar në Spanjë pasi dyshohen si pjesë e një grupi kriminal që kryente grabitje në vila dhe banesa luksoze në rajonin e Galicisë. Arrestimi i tyre erdhi pas disa javësh hetimesh dhe ndjekjesh nga Garda Civile.
Sipas mediave spanjolle, të rinjtë shqiptarë u arrestuan në kuadër të operacionit policor të koduar “Ziralla”, të drejtuar nga Njësia e Policisë Gjyqësore e Gardës Civile në Ourense. Grupi kishte një mënyrë të mirëorganizuar veprimi, duke përzgjedhur paraprakisht banesa individuale dhe vila të vendosura në zona të qeta rezidenciale, ndërsa grabitjet i kryenin kryesisht gjatë natës.
Ajo që bie në sy në këtë rast është shpejtësia e veprimit. Sipas gazetës “La Región”, të dyshuarit arrinin të përfundonin një grabitje brenda vetëm 10 minutash, duke u larguar më pas nga vendngjarja. Pas grabitjeve, tre shqiptarët nuk ktheheshin në hotele apo apartamente, por largoheshin drejt zonave të thella malore, ku kishin ngritur një kamp me çadra.
Gjatë kontrolleve, policia zbuloi vendin ku qëndronin të dyshuarit, në një zonë të vështirë për t’u arritur në provincën Pontevedra. Në kamp u gjetën pesë automjete që dyshohet se përdoreshin për grabitjet, si dhe mjete të ndryshme, çekiçë të rëndë, veshje të errëta, kapele dhe maska. Gjithashtu, u sekuestruan disa targa automjetesh, të cilat dyshohet se ndërroheshin vazhdimisht për të vështirësuar identifikimin e tyre.
Hetuesit gjetën edhe mjete të posaçme për vlerësimin e arit dhe diamanteve, si dhe bizhuteri të vjedhura, disa prej të cilave janë identifikuar nga pronarët e ligjshëm. Në total, u sekuestruan edhe më shumë se 5 mijë euro para të gatshme.
Të tre të arrestuarit janë dërguar në paraburgim me vendim gjykate, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e grupit dhe për të identifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.