Zjarr në Vlorë: Flakët përpijnë një automjet gjatë natës
Një automjet është djegur nga flakët gjatë natës në Vlorë, duke shkaktuar dëme materiale. Dyshohet se zjarri nisi nga koshat e mbeturinave.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të natës në lagjen “1 Maji” në qytetin e Vlorës, ku një automjet është përfshirë nga flakët. Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka filluar nga një kosh mbeturinash i cili ndodhej në hapësirën publike dhe më pas është përhapur edhe në një automjet të parkuar pranë.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe identifikuar personat përgjegjës për këtë ngjarje. Ende nuk dihet nëse objektivi i personave që dyshohet se kanë shkaktuar zjarrin kanë qenë koshat e mbeturinave apo nëse automjeti është djegur si pasojë e përhapjes së flakëve. Megjithatë, dyshimet paraprake janë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, duke nisur nga koshi i mbeturinave.
Pas marrjes së njoftimit, policia ka kryer veprimet e para hetimore në vendngjarje dhe janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe ambienteve përreth. Këto pamje pritet të ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve në zonë dhe identifikimin e personave që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë ngjarje. Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e dëmeve materiale dhe zbardhjen e plotë të rrethanave. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për persona të identifikuar apo të shoqëruar lidhur me ngjarjen.