42-vjeçari procedohet penalisht për kanosje me thikë në Fier
Një 42-vjeçar është proceduar penalisht nga Policia e Fierit për kanosje me thikë kundër drejtuesit të një automjeti në pedonalen e qytetit.

Një 42-vjeçar është proceduar penalisht nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se ka kanosur me thikë drejtuesin e një automjeti që po kalonte në pedonalen e qytetit. Ngjarja u bë e ditur pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqej një shtetas duke mbajtur në dorë një mjet prerës.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë ndërhynë mbrëmjen e djeshme, duke bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e 42-vjeçarit A. F., banues në Fier. Sipas Policisë, shtetasi dyshohet se ka kanosur me thikë drejtuesin e automjetit. Gjithashtu, bëhet me dije se ai dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Thika është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kanosja”.