Vjedhje masive: Kostoja e rrugës Elbasan - Qafë Thanë shtohet me 40 milionë Euro
Qeveria po shton 40 milionë Euro të tjera në koston e rrugës Elbasan - Qafë Thanë, duke e çuar totalin në 380 milionë euro, për shkak të mangësive të projektit dhe punimeve në këtë aks.

Zgjerimi i aksit rrugor Elbasan - Qafë Thanë po rëndon faturën e buxhetit të shtetit me kosto të reja të paparashikuara. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka hapur një tender me fond limit prej 3.5 miliardë lekësh ose rreth 39 milionë euro pa TVSH për mbrojtjen dhe rivitalizimin e skarpatave në segmentin Elbasan - Ura e Bushtricës.
Kjo është fatura shtesë që qytetarët shqiptarë po paguajnë për stabilizimin e shpateve në gjithë aksin ku rruga ka shkarë. Arsyeja e këtij prokurimi gjigant pranohet hapur në vetë dokumentet zyrtare të tenderit: gjatë hartimit të projektit dhe preventivit fillestar për zgjerimin e rrugës, masat inxhinierike për mbrojtjen e shpatit malor nuk ishin parashikuar fare.
Për të riparuar këto mangësi të projektit fillestar, ARRSH kërkon të kontraktojë një kompani apo bashkim operatorësh përmes një kontrate "me çelësa në dorë" (turnkey). Kjo do të thotë se fituesi do të marrë përsipër si studimet gjeologo-gjeoteknike dhe projektimin e zbatimit, ashtu edhe ndërtimin e plotë të veprave mbrojtëse për rreth 200,000 m² skarpata.
Procedura e prokurimit është çelur më 24 nëntor 2026 dhe ofertat do të mbyllen më 28 dhjetor 2026, duke i shtuar kështu projektit të Korridorit VIII një tjetër kosto dhjetëramilionëshe. Përbindësh buxhetor Zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë po shndërrohet me shpejtësi në një pus pa fund për paratë e qytetarëve. Dokumentat zyrtare të buxhetit dëshmojnë se kostot e kësaj vepre kanë dalë plotësisht jashtë kontrollit, të fryra nga modifikimet e vazhdueshme të kontratave, menaxhimi i dobët dhe emergjencat gjeologjike rrugës.