Avokati Leutrim Syla ndan historinë emocionuese të kërkesës së fëmijëve të Liridonës
Avokati Leutrim Syla ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke rrëfyer një kërkesë të veçantë të dy fëmijëve të Liridonës për nënën e tyre.

Pas vendimit në shkallë të dytë për vrasjen e Liridonës, avokati i familjes, Leutrim Syla, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale. Në një mesazh të gjatë në llogarinë e tij në Facebook, Syla ka rrëfyer edhe një moment veçanërisht prekës, kur dy fëmijët e Liridonës, Dioni dhe Diari, i kishin kërkuar që një bluzë e tyre, me emrat e të dyve, të vendosej te varri i nënës.
Sipas avokatit, kërkesa e fëmijëve u realizua dhe atyre iu dërguan fotografi nga varri i së ëmës, ku ishte vendosur bluza e tyre. Ai tregon se një tjetër moment që e ka prekur thellë ishte takimi me Dionin, i cili e njohu si avokatin e nënës së tij dhe i tha: “Faleminderit”. Avokati shprehet se gjatë gjithë procesit ka ndjerë një përgjegjësi të madhe ndaj dy fëmijëve, të cilët prisnin drejtësi për nënën e tyre.
Avokati falenderoi gjyqtarët, Prokurorinë, hetuesit e policisë, ekspertët, mediat dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë proces. Në reagimin e tij, Syla thekson se ky rast dëshmoi se askush nuk është i paprekshëm përpara ligjit, pavarësisht ndikimit apo mbështetjes që mund të pretendojë se ka. Ai përfundon duke thënë se “Lufta për drejtësi duhet dhe do të vazhdojë. Kjo kauzë ju bëftë dritë e përjetshme Liridonës, qetësi shpirtërore dy engjëjve e familjes së saj”.