Spiropali sfidon Ramën për kryetar të PS-së
Elisa Spiropali ka bërë thirrje për hapjen e garës për kryetarin e Partisë Socialiste, duke kërkuar që pas 17 vitesh të ketë konkurrencë për drejtimin e forcës politike.

Elisa Spiropali ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për hapjen e garës për kryetarin e Partisë Socialiste, duke kërkuar që pas 17 vitesh të ketë konkurrencë për drejtimin e forcës politike. Gjatë një konference për shtyp, pas përjashtimit nga grupi parlamentar socialist, Spiropali tha se në PS nuk duhet të ketë kryetarë të përjetshëm dhe se gara duhet të jetë e hapur për këdo që dëshiron të kandidojë.
Spiropali ironizoi edhe qëndrimet e kolegëve të saj për statutin e partisë, duke vënë në dukje se disa prej tyre, sipas saj, nuk e kanë respektuar atë kur u është dashur. Ajo theksoi se statuti nuk është Bibla dhe se rregullat duhet të jenë të përbashkëta.
Spiropali kujtoi gjithashtu angazhimin e saj në strukturat e Partisë Socialiste, duke përmendur drejtimin politik në Tiranë, Kukës dhe Shkodër, si dhe detyrat që ka mbajtur në qeveri dhe në Kuvend. Ajo tha se nuk ka asnjë problem edhe nëse karriera e saj politike do të përfundonte, por theksoi se nuk ka ndërmend të largohej nga Partia Socialiste.
Në vazhdim, Spiropali e bëri edhe më të qartë sfidën e saj, duke theksuar se gara për kreun e PS-së duhet të jetë e hapur dhe se nuk ka asnjë person të pazëvendësueshëm. Ajo përfundoi duke thënë se kjo logjikë e pazëvendësueshmërisë ka sjellë problemtika të rënda, të cilat të rinjtë po ua tregojnë me gisht të gjithëve.