Vrasja e ish-policit Santiago Malko: Erlis Duka rikthehet në burg
Gjykata e Posaçme e Apelit ka rikthyer në burg Erlis Dukën, vëllain e Leonard Dukës, duke e dënuar me 28 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka marrë vendimin për të rikthyer në burg Erlis Dukën, vëllain e Leonard Dukës, duke e dënuar me 28 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Erlis Duka ishte shpallur i pafajshëm nga shkalla e parë, por Apeli e ka dënuar me 28 vite burg. Ndërkohë, për Leonard Dukën u la në fuqi dënimi me 30 vite burg.
SPAK kishte kundërshtuar pafajësinë që GJKKO i dha Erlis Dukës, duke e konsideruar atë si organizator të krimit, së bashku me vëllain e tij Leonard Dukën. Gjykata e Posaçme ka dënuar me 130 vite burgim në total edhe pesë të akuzuar të tjerë, mes tyre Leonard Duka, i konsideruar si shefi i klanit Duka, që mori 30 vjet heqje lirie.
Të dyshuarit si anëtarë, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj dhe Oltjon Loga u dënuan me nga 25 vite burgosje. Të gjithë ata konsiderohen nga prokuroria anëtarë të grupit kriminal rival me grupin e Ervis Martinajt, i zhdukur prej gushtit të vitit 2022.