AKU Bllokon Ngarkesat e ZICO sh.a. dhe Mirela Bërdufi
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka refuzuar 3 ngarkesa me produkte ushqimore në Pikat e Inspektimit Kufitar gjatë muajit nëntor 2026.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka refuzuar 3 ngarkesa me produkte ushqimore në Pikat e Inspektimit Kufitar gjatë muajit nëntor 2026. Dy ngarkesa me 54 ton mish pule të importuara nga Brazili janë bllokuar në Pikën e Inspektimit Kufitar në Durrës, pasi të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përputheshin me të dhënat në sistem. Ngarkesat me mish pule, të importuara nga subjekti ZICO sh.a. nga Republika Federative e Brazilit, do të kthehen në vendin e origjinës.
Kompania ZICO sh.a., e njohur kryesisht për tregtimin me shumicë të bananeve dhe produkteve ushqimore, është në pronësi të biznesmenit Trifon Murataj. Emri i biznesmenit është përmendur në media pas zbulimit të sasive të kokainës në kontejnerët me banane të porositura nga kompania e tij në Portin e Durrësit gjatë viteve 2021–2024.
Në njoftimin zyrtar të AKU, raportohet se edhe në PIK Morinë është refuzuar një ngarkesë e importuar nga subjekti “Mirela Bërdufi”, e përbërë nga 7 ton miell gruri të tipit 400 dhe 500, si dhe 18 ton produkt “Hime gruri”, me destinacion kthimin në Kosovë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në kuadër të informimit publik dhe transparencës, bën me dije se gjatë muajit nëntor 2026 në Pikat e Inspektimit Kufitar janë importuar në total 5277 ngarkesa, nga të cilat 1276 ngarkesa me origjinë shtazore, 2834 ngarkesa me origjinë joshtazore, 1167 ngarkesa MBIB. Gjithashtu, janë marrë në total 167 mostra, nga analizimi i të cilave nuk kanë rezultuar raste jokonforme deri më tani.
Përsa i takon rasteve të refuzimeve në kufi rezultojnë të jenë 3 ngarkesa, 2 në PIK Durrës dhe 1 në PIK Morinë. Nga vlerësimi i praktikave në PIK Durrës, është marrë masë me bllokim për dy ngarkesa me 54 ton mish pule me destinacion kthim në vendin e origjinës, në Republikën Federative të Brazilit. Vendimi për kthimin në vendin e origjinës së këtyre dy ngarkesave të importuara nga subjekti ZICO sh.a. është marrë, pasi ka rezultuar se të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përkojnë me të dhënat në sistem.
Në këto kushte, në zbatim të legjislacionit në fuqi, ngarkesat do të kenë destinacion kthimin në vendin e origjinës. Nga vlerësimi i praktikave në PIK Morinë, është marrë masë me refuzimin në kufi për një ngarkesë me produkt “Miell gruri tip 400 dhe 500” me sasi 7 ton dhe produkti “Hime gruri” me sasi 18 ton me destinacion kthim në vendin e origjinës Kosovë. Kthimi në vendin e origjinës së kësaj ngarkese të importuar nga subjekti “Mirela Bërdufi” është kryer për arsye se për produktet “Miell gruri” dhe “Hime Gruri” kishte mungesë të theksuar të dokumentacionit shoqërues.