AKU Refuzon 25 Ton Produkte Gruri për Shkak të Problematikave me Dokumentacionin
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka refuzuar 25 ton produkte gruri në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë, pasi janë konstatuar problematika me dokumentacionin dhe etiketimin.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka refuzuar një ngarkesë prej 25 ton produkte gruri në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë. Ky refuzim është bërë pasi gjatë kontrolleve janë konstatuar disa problematika me dokumentacionin dhe etiketimin e produkteve.
Ngarkesa e importuar nga subjekti "Mirela Bërdufi" përfshinte 7 ton miell gruri të tipit 400 dhe 500, si dhe 18 ton produkt të deklaruar si "Hime gruri". Gjatë verifikimeve, inspektorët kanë konstatuar mungesa të theksuara në dokumentacionin shoqërues të produkteve. Për pjesën më të madhe të ngarkesës me miell gruri, data e prodhimit dhe ajo e skadencës nuk ishin të lexueshme.
Po ashtu, niveli i proteinave i deklaruar në ambalazh nuk përputhej me të dhënat në dokumentacion, ndërsa mungonin numri i lotit (LOT) dhe fleta e analizës për aflatoksinën. Problematika është konstatuar edhe te produkti "Hime gruri", ku mungonte numri i lotit në etiketë, duke mos mundësuar identifikimin dhe lidhjen e produktit me dokumentacionin shoqërues.
Përballë këtyre shkeljeve, AKU ka vendosur refuzimin në kufi të ngarkesës dhe kthimin e saj në vendin e origjinës, Kosovë.