Goditje për rivalin e Erdoganit, Imamoglu i anulohet diploma universitare
Ekrem Imamoglu, ish-kryebashkiaku i Stambollit dhe rival i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, ka marrë një goditje të rëndë pasi një gjykatë turke i anuloi diplomën universitare, duke e penguar të kandidojë për president.

Ekrem Imamoglu, ish-kryebashkiaku i burgosur i Stambollit dhe një prej rivalëve kryesorë politikë të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, ka marrë një tjetër goditje në betejën e tij ligjore dhe politike. Një nga gjykatat më të larta në Turqi ka mbështetur vendimin për anulimin e diplomës së tij universitare, duke e penguar kështu të kandidojë për president në zgjedhjet e ardhshme.
Vendimi u bë publik nga Këshilli i Shtetit Turk, i cili la në fuqi anulimin e diplomës që Imamoglu kishte marrë në vitin 1994, për shkak të parregullsive të konstatuara në procesin e tij akademik. Ky vendim shteron mjetet e zakonshme ligjore, por avokatët e ish-kryebashkiakut kanë bërë të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin.
Çështja ka rëndësi të veçantë politike, pasi Kushtetuta turke përcakton se kandidatët për postin e presidentit duhet të kenë përfunduar studimet universitare. Për këtë arsye, për sa kohë anulimi i diplomës mbetet në fuqi, Imamoglu nuk mund të jetë kandidat në zgjedhjet presidenciale. Çështja lidhet me parregullsi të pretenduara gjatë transferimit të tij në një universitet në Stamboll. Imamoglu i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se vendimi për anulimin e diplomës është i motivuar politikisht.
Ndërkohë, qeveria e Erdoganit po përballet me një krizë të lidhur me tregun e aksioneve, të njohur si skandali “Fonzi”. Çështja përfshin fonde investimi me një vlerë totale prej rreth 20 miliardë dollarësh dhe prek afro gjysmë milioni investitorë. Kriza shpërtheu në mesin e shtatorit, kur disa fonde të mëdha investimi njoftuan se nuk mund të përmbushnin kërkesat e investitorëve për tërheqjen e parave. Më pas, rregullatorët urdhëruan likuidimin e 131 fondeve të investimit, ndërsa autoritetet nisën një hetim penal për tregtim të mundshëm të paligjshëm dhe manipulim të tregut.