Goditet banda bullgare që shpërndante drogën vdekjeprurëse në Londër
Policia Met në Londër ka goditur një grup kriminal të dyshuar për shpërndarjen e metamfetaminës kristalore, një drogë sintetike me rrezikshmëri të lartë, duke arrestuar katër persona.

Policia Met në Londër ka zhvilluar një operacion kundër një grupi të dyshuar kriminal të lidhur me shpërndarjen e metamfetaminës kristalore, një drogë sintetike me rrezikshmëri të lartë. Operacioni u zhvillua në dy banesa në veri të Londrës, të cilat dyshohet se lidheshin me një grup kriminal të organizuar me bazë familjare, me origjinë bullgare.
Gjatë operacionit, policia arrestoi tre shtetas bullgarë, dy burra dhe një grua, nën dyshimin për posedim të lëndëve narkotike të kategorisë A me qëllim shpërndarjen. Në banesën e dytë u arrestua një tjetër burrë, i dyshuar për posedim të lëndëve narkotike të kategorisë A me qëllim shpërndarjen, posedim të armëve të ftohta dhe municioneve luftarake.
Policia sekuestroi lëndë të dyshuara narkotike, para cash, dhjetëra paketa cigaresh dhe dokumente. Në njërën prej banesave u gjetën gjithashtu një armë elektroshoku e maskuar si elektrik dore, një shpatë dhe një enë me nitazen, një opioid sintetik që mund të jetë qindra herë më i fuqishëm se morfina.
Metamfetamina kristalore, e njohur edhe si “Crystal Meth”, është një drogë sintetike që ndikon fuqishëm në sistemin nervor dhe ka shkaktuar mijëra viktima në vende të ndryshme, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet britanike kanë ngritur shqetësimin se çmimi i kësaj droge në tregun e paligjshëm ka rënë ndjeshëm, duke rritur rrezikun e përhapjes së saj në komunitete më të gjera.