Italia nën valën e motit të keq, alarm portokalli në Campania dhe mbyllje shkollash
Italia po përjeton një valë të motit të keq me reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe rrezik për dallgëzime të fuqishme, duke shkaktuar mbylljen e shkollave dhe parqeve në disa qytete.

Italia po përballet me një valë të motit të keq, me reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe rrezik për dallgëzime të fuqishme përgjatë vijës bregdetare. Mbrojtja Civile ka shpallur alarm portokalli në të gjithë rajonin e Campanias, me përjashtim të zonave Alta Irpinia, Sannio dhe Tanagro, ku është në fuqi alarmi i verdhë.
Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, Bashkia e Napolit ka vendosur mbylljen e të gjitha shkollave, publike dhe private, të çdo niveli, për ditën e enjte. Vendimi përfshin gjithashtu parqet, plazhet publike dhe disa ambiente sportive. Për vizitorët do të jetë i mbyllur edhe kompleksi historik Maschio Angioino.
Masa të ngjashme janë marrë edhe në ishujt Ischia dhe Procida. Për shkak të kushteve të vështira të motit, për disa orë janë pezulluar lidhjet detare me tragetet e shpejta. Ndërkohë, për të enjten, kryetarët e bashkive kanë urdhëruar mbylljen e shkollave, parqeve, kopshteve publike dhe varrezave.
Edhe në Salerno është vendosur mbyllja e shkollave publike, private dhe jopublike, si dhe e çerdheve dhe kopshteve për fëmijë, si masë parandaluese ndaj motit të keq. Alarmi i verdhë është shtrirë edhe në zonën e Dolomiteve, në rajonin e Venetos, për shkak të rrezikut të ortekëve në qafat malore dhe përgjatë rrugëve në lartësi.