Pengmarrja 17-orëshe në Kolumbi: 70 persona shpëtohen, një i vrarë dhe katër të arrestuar
Një operacion i forcave speciale në Kolumbi ka dhënë fund një pengmarrjeje 17-orëshe në një supermarket, duke shpëtuar 70 persona, duke vrarë një dhe duke arrestuar katër të dyshuar.

Një operacion i forcave speciale në Kolumbi i ka dhënë fund një pengmarrjeje që zgjati rreth 17 orë në një supermarket në qytetin turistik të Kartagjenës. Të gjithë personat e marrë peng janë liruar, ndërsa një prej personave të dyshuar si autor i ngjarjes është vrarë dhe katër të tjerë janë arrestuar.
Ngjarja nisi rreth orës 08:00 të së martës, kur persona të armatosur dhe të maskuar hynë me forcë në supermarket, duke marrë peng klientët dhe punonjësit që ndodheshin brenda. Fillimisht, presidenti i vendit, Abelardo de la Espriella, deklaroi se bëhej fjalë për 30 pengje, por pas përfundimit të operacionit policia e çoi numrin në rreth 70 persona.
Gjatë ditës, dhjetë prej tyre ishin liruar, ndërsa pjesa tjetër u mbajt në ambientet e supermarketit deri në orët e para të së mërkurës. Rreth orës 01:30, pas 17 orësh negociatash dhe përpjekjesh për zgjidhjen e situatës, forcat speciale ndërhynë duke çarë hyrjet e bllokuara dhe duke përdorur granata trullosëse.
Gjatë operacionit, një prej personave të dyshuar si pengmarrës u vra, ndërsa katër të tjerë u arrestuan. Presidenti De la Espriella, i cili kishte udhëtuar drejt Kartagjenës për të ndjekur nga afër negociatat dhe ndërhyrjen policore, deklaroi se personave të armatosur u ishte dhënë mundësia të dorëzoheshin dhe të lironin pengjet. "Një nga kriminelët u vra. Atyre iu dha mundësia të dorëzoheshin dhe të lironin pengjet; ata e refuzuan këtë mundësi dhe ne vepruam me forcë", deklaroi presidenti në një video të publikuar jashtë supermarketit.