Shqipëria Regjistron Rënie të Hyrjeve të Turistëve të Huaj në Tetor
Shqipëria ka regjistruar një rënie dyshifrore të hyrjeve të shtetasve të huaj në tetor, duke sinjalizuar një ngadalësim të fluksit turistik pas përfundimit të sezonit veror.

Shqipëria ka regjistruar një rënie dyshifrore të hyrjeve të shtetasve të huaj në tetor, duke sinjalizuar një ngadalësim të fluksit turistik pas përfundimit të sezonit veror. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, gjatë muajit tetor në territorin shqiptar u regjistruan 795 mijë e 503 hyrje të shtetasve të huaj, krahasuar me 908 mijë e 642 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo përfaqëson një rënie prej 12.5 përqind në bazë vjetore, ose mbi 113 mijë hyrje më pak. Në total, gjatë tetorit u regjistruan rreth 1.46 milionë hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një tkurrje prej 7.6 përqind krahasuar me tetorin e vitit 2025.
Hyrjet e shtetasve shqiptarë pësuan një rënie më të moderuar, prej 0.9 përqind, duke arritur në 662 mijë e 437. Ndërkohë, daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i vendit u rritën me 5 përqind, duke arritur në mbi 692 mijë.
Rënia e turizmit në muajin e 10-të vitit ishte i pritshëm, tëksa gjatë këtij muaji vendi u përfshi nga një seri protestash. Protestat nisën fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentët parashtruan një sërë kërkesash drejtuar qeverisë. Megjithatë, situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, të shoqëruara me përdorimin e forcës nga policia, trazira dhe dëme materiale në disa zona të kryeqytetit.
Kjo situatë mund të ketë ndikuar negativisht në perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik, veçanërisht për vizitorët e huaj. Tur-operatorët kërkuan që qeveria të ulte tensionin me protestuesit, duke paralajmëruar se kjo do të ndikonte në ecurinë e turizmit, diçka që tashmë duket se është materializuar në numra konkretë.
Ecuria për pjesën e mbetur të vitit vlerësohet jo më me optimizëm, ku tur-operatorët kanë parashikuar një zbehje të turizmit në tërësi, edhe pse e shohin këtë si afatshkurtër dhe pa pasoja në imazhin e përgjithshëm të vendit.