SHBA miraton shitjen e pjesëve rezervë për F-16 të Ukrainës me vlerë mbi 600 milionë dollarë
Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e pjesëve rezervë dhe pajisjeve për mirëmbajtjen e avionëve luftarakë F-16 që përdoren nga Forcat Ajrore të Ukrainës, me vlerë mbi 600 milionë dollarë, të cilat do të financohen nga disa vende europiane.

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e pjesëve rezervë dhe pajisjeve të nevojshme për mirëmbajtjen e avionëve luftarakë F-16 që përdoren nga Forcat Ajrore të Ukrainës. Marrëveshja kap vlerën e më shumë se 600 milionë dollarëve, ndërsa financimi do të sigurohet tërësisht nga disa vende europiane, duke përfshirë Belgjikën, Danimarkën, Holandën dhe Norvegjinë.
Qeveria ukrainase ka paraqitur kërkesën për blerjen e një pakete pajisjesh dhe pjesësh rezervë, të cilat do të shërbejnë për mirëmbajtjen dhe mbajtjen në gatishmëri të avionëve F-16, të cilët janë bërë pjesë e rëndësishme e mbrojtjes ajrore të vendit kundër sulmeve ruse. Nevoja për këto pajisje vjen në një kohë kur janë raportuar vështirësi në mirëmbajtjen e avionëve amerikanë.
Ukraina ka marrë një numër të kufizuar avionësh F-16 nga aleatët perëndimorë, duke nisur nga viti 2024, dhe sipas njoftimeve zyrtare ka humbur të paktën katër prej tyre gjatë luftës. Vështirësi janë raportuar gjithashtu në procesin e trajnimit të pilotëve që do t’i përdorin këta avionë. Marrëveshja e re synon të ndihmojë Kievin të ruajë funksionalitetin e avionëve luftarakë, në një kohë kur mbrojtja ajrore mbetet një nga sfidat kryesore të Ukrainës në luftën me Rusinë.