Kontrolla e AKU-së: 160 subjekte nën shikim, gjoba me vlerë 1.46 mln lekë dhe bllokimi i mishit
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer kontrolla në 160 subjekte ushqimore në të gjithë vendin, duke gjetur shkelje të kushteve higjieno-sanitare dhe mungesë të gjurmueshmërisë së produkteve.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar kontrolle në 160 subjekte ushqimore gjatë dy ditëve në të gjithë vendin. Nga inspektimet janë vendosur 8 masa administrative me gjobë në vlerën totale 1.460.000 lekë dhe 9 masa me paralajmërim. Në Fier, në një subjekt të përpunimit të mishit, janë bllokuar 2.089 kilogramë produkte me destinacion asgjësimin.
Kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë evidentuar shkelje të kushteve higjieno-sanitare, mungesë të gjurmueshmërisë së produkteve dhe moszbatim të sistemit të vetëkontrollit HACCP në disa subjekte ushqimore në qarqe të ndryshme të vendit. Një nga rastet më problematike është evidentuar në qarkun Fier, ku AKU, në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik dhe bazuar në informacionin e përcjellë nga Prokuroria, ka ushtruar kontroll në subjektin “R. Sauli”, me aktivitet në përpunimin e mishit.
Gjatë inspektimit janë konstatuar mungesa të kushteve higjieno-sanitare dhe të ruajtjes së produkteve, mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë për periudhën tetor-nëntor, moszbatim i plotë i sistemit HACCP, si dhe mangësi në përmbushjen e përgjegjësive të operatorit të biznesit ushqimor. Për këto shkelje është vendosur bllokimi i 2.089 kilogramëve produkte, konkretisht 1.629 kilogramë produkt “gjiro”, 100 kilogramë dhjamë derri dhe 360 kilogramë kimë mishi pule, me destinacion asgjësimin.
Masa administrative janë marrë edhe në qarkun Dibër. Kopshti nr. 3 në Peshkopi dhe Spitali Civil Peshkopi janë gjobitur me nga 30 mijë lekë secili, për mosrealizimin e detyrave të lëna nga inspektimet e mëparshme. Kontrolle janë ushtruar edhe në qarqet Shkodër dhe Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik të policisë.