Fation Shehu prezanton drejtuesit e rinj të Doganës së Tiranës dhe Durrësit
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Fation Shehu ka prezantuar drejtuesit e rinj të Degës Doganore Tiranë dhe Durrës, Denis Shabani dhe Enton Shehu.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Fation Shehu ka prezantuar sot me stafin, drejtuesin e ri të Degës Doganore Tiranë, Denis Shabani dhe drejtuesin e ri të Degës Doganore Durrës, Enton Shehu, menjëherë pas marrjes së detyrës dy ditë më parë. Shehu vlerësoi profilin profesional dhe përvojën 27-vjeçare të Denis Shabanit në administratën doganore, duke shprehur besimin se drejtimi i tij do të kontribuojë në vijimësinë dhe forcimin e mëtejshëm të punës së kësaj dege doganore.
Njëkohësisht, drejtori i Përgjithshëm kërkoi nga punonjësit përkushtim, përgjegjshmëri dhe tolerancë zero ndaj fenomeneve negative, me synim garantimin e një shërbimi sa më efikas dhe profesional. Shehu vlerësoi gjithashtu kontributin dhe punën e deritanishme të drejtuesit Erion Ricku, i cili përfundon detyrën si drejtues i Degës Doganore Tiranë, duke e falënderuar për angazhimin dhe përgjegjësinë e ushtruar gjatë drejtimit të kësaj strukture.
Edhe në Durrës, në një takim me punonjësit e kësaj strukture, drejtori i Përgjithshëm vlerësoi përvojën e prej më shumë se 10 vitesh të Enton Shehut në administratën doganore, duke e konsideruar atë një njohës të mirë të proceseve dhe përgjegjësive që shoqërojnë këtë detyrë. Nisur nga rëndësia strategjike e Degës Doganore Durrës në administrimin e veprimtarisë tregtare dhe në funksionimin e sistemit doganor, Fation Shehu theksoi se kjo strukturë kërkon një angazhim të vazhdueshëm për rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e proceseve të punës.