Prokuroria belge kërkon 10 vjet burg për Alush Takën për drejtimin e një organizate kriminale
Prokuroria e Anversës ka kërkuar 10 vjet burg për Alush Takën, i njohur edhe si Alush Kallulli, për drejtimin e një organizate kriminale që merrej me përpunimin, paketimin dhe transportin e drogës në disa vende të Evropës.

Prokuroria e Anversës ka kërkuar 10 vjet burg për Alush Takën, i njohur edhe si Alush Kallulli, të cilin e akuzon se drejtonte një organizatë kriminale që merrej me përpunimin, paketimin dhe transportin e drogës në disa vende të Evropës. Sipas gazetës belge Nieuwsblad, prokurori e ka cilësuar organizatën shqiptare si "DHL-ja ose PostNL-ja e mjedisit kriminal" për shkak të shërbimeve që ajo kryente për llogari të grupeve të tjera kriminale.
Hetimi nisi në shtator të vitit 2023, kur punonjësit e bashkisë së Anversës, gjatë kontrollit të disa thasëve me mbeturina në lagjen Eilandje, zbuluan ambalazhe dhe materiale që shërbenin për përzjerjen e kokainës. Policia belge arriti të lokalizonte një apartament në një nga kullat e banimit në Kattendijkdok-Westkaai, ku, sipas hetuesve, organizata shqiptare kishte ngritur qendrën e saj të operacioneve.
Grupi përdorte edhe ambiente të tjera në Anversë për përpunimin dhe paketimin e kokainës, të cilën më pas e transportonte në vende të ndryshme të Evropës, sipas porosive të organizatave të tjera kriminale. Nëpërmjet përgjimeve dhe vëzhgimeve, policia belge arriti të identifikonte Alush Takën. Për identifikimin e tij, autoritetet belge shpërndanë fotografinë në shërbimet policore evropiane.
Ishin autoritetet franceze ato që konfirmuan identitetin e shqiptarit nga Vlora. Në vitin 2014, drejtësia franceze e kishte dënuar Takën për transportin e ngarkesave me kokainë në automjete me ndarje të fshehta në rajonin e Bretanjës. Sipas hetimit belg, pas vuajtjes së dënimit në Francë, Taka kishte rifilluar aktivitetin kriminal. Përgjimet e policisë dokumentuan edhe përfshirjen e dyshuar të organizatës në grabitjen e një ngarkese me kanabis.
Në prill të vitit 2024, grupi i Alush Takës u largua nga baza në Anversë, duke ia lënë apartamentin një organizate tjetër kriminale shqiptare, të cilën, sipas prokurorisë, e drejtonte Ermal H. Në fillim të qershorit të vitit 2024, policia belge kontrolloi 12 ambiente. Në apartamentin e Eilandje, hetuesit sekuestruan katër armë zjarri, 50 mijë euro të vërteta, 50 mijë euro të falsifikuara dhe uniforma të policisë holandeze. Në ambientet e tjera, policia gjeti dhjetëra kilogramë kokainë dhe amfetaminë.
Në seancën e 26 nëntorit 2026, nga 34 të pandehurit, 33 shqiptarë dhe një belg, vetëm dy u paraqitën në gjykatë. Prokuroria kërkoi nga 10 vjet burg për Alush Takën dhe Ermal H., ndërsa për 32 të pandehurit e tjerë kërkoi dënime nga tre deri në tetë vjet burg. Gjykata e Anversës ende nuk ka dhënë vendimin, sipas raportimit të gazetës belge.