Aksident i shumëfishtë në Zvicër, 37 automjete përplasen dhe 10 persona lëndohen
Një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën A1 në Zvicër, ku 37 automjete janë përplasur dhe 10 persona kanë mbetur të lënduar.

Një aksident i shumëfishtë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën A1 në Zvicër, ku janë përfshirë 37 automjete, mes tyre makina, furgonë dhe kamionë. Si pasojë e aksidentit, 10 persona kanë mbetur të lënduar. Aksidenti ndodhi rreth orës 05:45, sipas televizionit zviceran SRF.
Shumica e automjeteve të dëmtuara kanë pasur nevojë të largohen me karrotrec, ndërsa personat që nuk kanë pësuar lëndime janë shoqëruar nga ekipet e emergjencës drejt një zone pushimi, ku janë marrë në pyetje për rrethanat e aksidentit. Shkaqet e përplasjes ende nuk janë përcaktuar, por sipas policisë, kushtet dimërore në rrugë dyshohet se kanë ndikuar në aksident.
Si pasojë e ngjarjes, autostrada A1 në drejtim të St. Gallenit është bllokuar. Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të shmangin zonën, pasi pritet që rruga të mbetet e mbyllur deri në orët e vona të pasdites.