Arrestohen katër persona në Fier, sekuestruar armë zjarri dhe kokainë
Katër persona janë arrestuar në Fier dhe Lushnjë pas një operacioni të zhvilluar në tri faza, ku janë sekuestruar armë zjarri, kokainë dhe maska silikoni.

Një operacion i policisë në Fier dhe Lushnjë ka rezultuar në arrestimin e katër personave dhe sekuestrimin e armëve zjarri, kokainës dhe maskave silikoni. Sipas policisë, armët e sekuestruara dyshohet se janë përdorur për ngjarje kriminale.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar katër armë zjarri, dy armë gjahu, municion luftarak dhe dy maska silikoni. Në Fier, një 42-vjeçar u arrestua në flagrancë për shkak se qarkullonte me lëndë narkotike kokainë dhe drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Në fazën e dytë të operacionit, në Fier u arrestuan dy shtetas, babë e bir, Z. T. dhe E. T., të cilëve u gjetën një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak dhe një dorezë metalike.
Në fazën e tretë të operacionit, në Lushnjë u arrestua shtetasi M. B., ndërsa babai i tij, L. B., u shpall në kërkim. Pas një hetimi disa javor, policia gjeti dy armë zjarri kallashnikovë, municion luftarak dhe një armë gjahu.
Të gjitha armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme. Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.