Qumështi shqiptar: jo vetëm me aflatoksinë, por edhe me mbetje ilaçesh
Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit (AKU) ka zbuluar praninë e medikamenteve veterinare në mostrat e qumështit të prodhuar në fermat shqiptare, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.

Në fermat shqiptare, qumështi i prodhuar nuk përmban vetëm aflatoksinë, por edhe mbetje të ilaçeve veterinare. Gjatë vitit 2025, AKU ka identifikuar 12 raste ku qumështi i lopës dhe i deles ka rezultuar me ngarkesë të lartë medikamentesh veterinare. Dy kamionë me qumësht deleje dhe 10 mostra të qumështit të deles kanë qenë të ngarkuara me acid salicilik, ndërsa një rast i qumështit të të imtave ka rezultuar me ilaçin semikarbazid (SEM).
Sipas ligjit të sigurisë ushqimore, niveli i medikamenteve në qumësht apo mish duhet të jetë zero. Përdorimi i medikamenteve veterinare pa kriter ka bërë që shëndeti i qytetarëve të neglizhohet. Fermerët kanë përdorur antibiotikë dhe antiparazitarë pa respektuar periudhën e karencës, duke lënë mbetje të këtyre ilaçeve në qumësht.
Një tjetër rast ka rezultuar se qumështi ka pasur edhe lëndë qetësuese, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve. Mosrespektimi i recetës veterinare dhe mungesa e kontrolleve të AKU-së kanë bërë që produkte si djathi, gjiza, kosi, gjalpi apo salca e kosit të përgatiten nga qumështi me medikamente. Standardizimi i produkteve me origjinë shtazore dhe siguria ushqimore cilësohen si provimet më të vështira që Shqipëria duhet të kalojë para se të bëhet pjesë e familjes europiane.