Biletat për Kampionatin Evropian U21 tani në shitje
Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se janë dalë në shitje biletat për Kampionatin Evropian U21, i cili do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi nga 16 qershori deri në 3 korrik të 2027.

Kampionati Evropian i U21 do të zhvillohet vitin e ardhshëm dhe Shqipëria është një nga vendet organizatore të këtij kompeticioni të rëndësishëm. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) bëri të ditur se biletat janë të disponueshme online në faqen zyrtare të UEFA. Në Evropianin U21 të vitit të ardhshëm do të marrin pjesë 16 skuadra dhe ndeshjet do të luhen në 8 stadiume, 4 në Shqipëri dhe 4 në Serbi. Kombëtarja shqiptare është në Grupin B të kompeticionit së bashku me Spanjën, Italinë dhe Finlandën. Në Shqipëri do të luhen ndeshjet e Grupit B dhe D, dhe stadiumet që do t’i presin janë: ‘Arena Kombëtare’ dhe ‘Arena e Demave’ në Tiranë, ‘Elbasan Arena’ në Elbasan dhe ‘Loro Boriçi’ në Shkodër. Shqipëria do të mirëpresë edhe dy ndeshje çerekfinale, një gjysmëfinale dhe finalen e madhe të këtij kompeticioni. Biletat janë të ndara në dy kategori, me çmime të ndryshme sipas fazës së kompeticionit. Procedura për blerjen e biletave online fillon me regjistrim në platformë duke përdorur një adresë e-mail, pastaj zgjidhni tribunën e stadiumit dhe ulësen, dhe në fund plotësoni të dhënat për biletat dhe procedoni me pagesën.