Aksident i pazakontë në SHBA: Kamioni mbetet i varur në urë mes motit të keq
Një aksident i pazakontë ka ndodhur në Toledo të Ohajos, ku një kamion postar përfundoi i varur në një urë, mes kushteve të vështira atmosferike që kanë përfshirë një pjesë të madhe të vendit.

Një aksident i pazakontë është regjistruar të enjten në Toledo të Ohajos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një kamion postar përfundoi i varur në një urë, mes kushteve të vështira atmosferike që kanë përfshirë një pjesë të madhe të vendit. Kamioni i rëndë mbeti i bllokuar mes një daljeje të autostradës dhe një ure të ngritur, duke krijuar një situatë të rrezikshme. Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.
Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe arritën ta nxirrnin kamionin nga pozicioni i rrezikshëm, duke e rikthyer atë në rrugë. Departamenti i Transportit i Ohajos e cilësoi ngjarjen si një pamje tejet të pazakontë, ndërsa falënderoi ekipet e ndërhyrjes për reagimin e tyre, pavarësisht se ishte ditë feste dhe kushtet atmosferike ishin të vështira.
Moti i keq shkakton kaos në disa shtete amerikane. Aksidenti ndodhi në një kohë kur një valë e fuqishme e motit të keq po godet rajonet Midwest dhe Verilindore të SHBA-së. Reshjet e dendura të shiut, erërat e forta dhe përmbytjet kanë shkaktuar probleme të shumta, duke vështirësuar qarkullimin rrugor dhe transportin ajror. Situata është rënduar edhe për shkak të fluksit të lartë të udhëtarëve gjatë festës së Ditës së Falënderimeve, një prej periudhave më të ngarkuara të vitit për lëvizjet në SHBA. Mbi 80 milionë amerikanë pritej të udhëtonin gjatë kësaj jave.
Ndërkohë, më shumë se 980 mijë banesa mbetën pa energji elektrike të enjten në mbrëmje. Pensilvania, Virxhinia, Merilendi dhe Nju Xhersi ishin ndër shtetet më të prekura nga moti i keq. Administrata Federale e Aviacionit kishte paralajmëruar më herët për vonesa në fluturime gjatë gjithë javës, për shkak të reshjeve intensive dhe erërave të forta.