Veliaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimeve të gjyqësorit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur një kërkesë të re në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të të tre shkallëve të gjyqësorit që nuk pranuan kërkesën e tij për konstatimin e shkeljeve procedurale dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore të SPAK-ut.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të të tre shkallëve të gjyqësorit, të cilat nuk pranuan kërkesën e tij për konstatimin e shkeljeve procedurale dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore të kryera nga SPAK. Sipas regjistrit të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, relator i çështjes është caktuar gjyqtari Asim Vokshi. Veliaj kërkon shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën të vendimit nr. 43 akti, të datës 1 shtator 2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë; vendimit nr. 228 (87-2025-359), të datës 20 tetor 2025, të Apelit të Posaçëm dhe vendimit nr. 00-2026-568, të datës 19 shkurt 2026, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Vendimet lidhen me kërkesën e kryebashkiakut për konstatimin e shkeljeve procedurale gjatë fazës së hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024 dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore të Prokurorisë së Posaçme. Në kërkesën e mëparshme drejtuar GJKKO-së, Veliaj pretendonte se SPAK kishte kryer veprime hetimore përpara regjistrimit të procedimit penal, duke shmangur, sipas tij, afatet ligjore dhe kontrollin gjyqësor. Pas vendimmarrjes së të tre shkallëve të gjyqësorit, Veliaj kërkon tashmë shfuqizimin e këtyre vendimeve nga Gjykata Kushtetuese, si dhe ngarkimin e shpenzimeve gjyqësore subjektit të interesuar. Më këtë kërkesë Veliaj kundërshton ligjshmërinë e veprimeve hetimore të SPAK-ut.