Tensionet mes Kinës dhe Tajvanit: Avionë luftarakë dhe stërvitje ushtarake
Kina rrethon Tajvanin me avionë luftarakë dhe zhvillon stërvitje ushtarake, duke shtuar presionin ndaj ishullit në prag të zgjedhjeve administrative.

Tajvani po përgatitet për zgjedhjet administrative të së shtunës, ndërsa Kina po shton presionin ushtarak ndaj ishullit. Kina ka dërguar 30 avionë luftarakë në zonën përreth Tajvanit dhe po zhvillon stërvitje për zbarkim në brigjet përballë. Ministria kineze e Mbrojtjes ka deklaruar se banorët e Tajvanit do të ndiheshin më të sigurt nëse mbroheshin nga Ushtria Popullore, duke vazhduar të paraqesë bashkimin me Kinën si një objektiv të pandryshueshëm.
Në provincën kineze të Fujianit, përballe Ngushticës së Tajvanit, po zhvillohen stërvitje me një sistem të ri për zbarkimin e trupave dhe mjeteve ushtarake. Imazhet satelitore perëndimore kanë evidentuar dhjetëra mjete lundruese civile të lidhura me njëra-tjetrën për të krijuar struktura të ngjashme me ura lundruese, të cilat mund të përdoren për të transportuar ushtarë dhe pajisje në bregdet, në rast të një pushtimi.
Stërvitjet kanë vijuar prej rreth dy javësh, ndërsa Ministria kineze e Mbrojtjes i ka cilësuar ato si plotësisht legjitime dhe të arsyeshme. Megjithatë, këto përgatitje shihen si një tjetër sinjal i aftësive që Pekini po zhvillon për një operacion të mundshëm ushtarak kundër Tajvanit.
Pavarësisht demonstrimit të forcës nga Kina, opinioni publik tajvanez duket se është mësuar me këto manovra frikësuese, ndërsa vëmendja e qytetarëve është përqendruar te zgjedhjet lokale. Rreth 19.7 milionë votues nga një popullsi prej 23 milionë banorësh pritet të zgjedhin kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e 22 qyteteve dhe qarqeve.
Në zgjedhjet e katër viteve më parë, Partia Kuomintang, e cila mbështet një politikë dialogu me Kinën, fitoi në 14 njësi vendore, kundrejt pesë të Partisë Demokratike Progresiste (DPP) dhe tre të forcave të tjera politike ose kandidatëve të pavarur. Megjithatë, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 fitoi DPP-ja, e cila ndjek një linjë më të vendosur për mbrojtjen e autonomisë së ishullit.
Një nga garat më të rëndësishme të zgjedhjeve të së shtunës është ajo për drejtimin e kryeqytetit Taipei, aktualisht nën kontrollin e Kuomintangut. Sondazhet i japin mundësi të mira kandidatit të DPP-së, Puma Shen, deputet në parlamentin kombëtar dhe ish-profesor i kriminologjisë, i specializuar në studimin e dezinformimit dhe të asaj që njihet si lufta njohëse e Kinës.