Mbrojtje e posaçme për punonjësit e Mbikëqyrjes së Burgjeve dhe familjarët e tyre
Qeveria ka miratuar një vendim që parashikon mbrojtje të posaçme për punonjësit e Mbikëqyrjes së Burgjeve dhe familjarët e tyre, në rast se kërcënohen për shkak të detyrës.

Vendimi i ri i qeverisë parashikon ruajtje fizike, shoqërim dhe masa sigurie jo vetëm për vetë punonjësit, por edhe për familjarët dhe pronën e tyre. Mbrojtja do të ofrohet kur ekzistojnë rrethana serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit dhe kur kërcënimi lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.
Mbrojtja e veçantë do të përfshijë disa masa konkrete, në varësi të nivelit të rrezikut. Mes tyre janë ruajtja ose shoqërimi fizik i punonjësit të kërcënuar, ruajtja ose shoqërimi fizik i familjarëve të tij, nëse edhe ata janë të rrezikuar, dhe marrja e masave për ruajtjen e pronës së punonjësit.
Për të vendosur nëse një punonjës përfiton mbrojtje të posaçme, pranë Agjencisë do të ngrihet Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve (KVK). Kërkesa për mbrojtje mund të paraqitet nga vetë punonjësi i kërcënuar, strukturat e Agjencisë që marrin dijeni për rrezikun, por edhe nga institucione të tjera publike që konstatojnë rrethana të tilla.