Reshje intensive dhe dëborë parashikohen për të shtunën
Moti për të shtunën parashikon reshje shiu intensive dhe dëborë në disa zona, me rrezik për përmbytje në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër.

Moti për të shtunën, 28 nëntor 2026, do të karakterizohet nga reshje shiu me intensitet të lartë në disa zona të vendit, ndërsa në zonat malore pritet edhe dëborë. Reshjet më intensive do të përqendrohen në qarkun e Vlorës, ku mund të arrijnë intensitet shumë të lartë.
Në qarqet Berat, Korçë dhe Gjirokastër pritet situatë me reshje mesatare deri lokalisht intensive. Ndërkohë, në Elbasan dhe Fier parashikohen reshje mesatare, të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në pjesën tjetër të territorit reshjet do të jenë kryesisht të dobëta deri mesatare.
Në verilindje, lindje dhe juglindje, në lartësitë mbi 500 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formën e dëborës. Situata në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër paraqitet shqetësuese, ku intensiteti i lartë i reshjeve mund të sjellë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, rrëshqitje dherash dhe përmbytje të lokalizuara në zonat urbane.
Gjithashtu, pritet të ketë rritje të prurjeve në lumenjtë Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Sa i përket temperaturave, në zonat bregdetare ato do të luhaten nga 10 deri në 14 gradë Celsius, në zonat e ulëta nga 8 deri në 14 gradë, ndërsa në zonat malore nga 2 deri në 10 gradë Celsius. Era do të fryjë me intensitet të lehtë deri mesatar, por në bregdet dhe në zonat malore herë pas here mund të arrijë intensitet të fortë.