UEFA Hap Thesin për Kampionatin Evropian të U21
UEFA ka parashikuar të akordojë një fond prej 4 milionë eurosh për 16 skuadrat pjesëmarrëse në Kampionatin Evropian të U21 që do të mbahet vitin e ardhshëm në Shqipëri e Serbi.

UEFA ka parashikuar të akordojë një fond prej 4 milionë eurosh për 16 skuadrat pjesëmarrëse në Kampionatin Evropian të U21 që do të mbahet vitin e ardhshëm në Shqipëri e Serbi. Ky fond do të mbulojë jo vetëm fazën finale, por edhe të gjithë ciklin kualifikues 2025-2027.
Sipas skemës së përcaktuar nga UEFA, çdo federatë pjesëmarrëse në kualifikuese do të përfitojë 135 mijë euro, ndërsa kombëtaret që arrijnë të sigurojnë një vend në fazën play-off do të marrin edhe 25 mijë euro shtesë. Për fazën finale, UEFA do të marrë përsipër shpenzimet e udhëtimit ndërkombëtar dhe transportit për delegacione deri në 35 persona, si dhe do të kontribuojë financiarisht për akomodimin dhe ushqimin e skuadrave.
Në Shqipëri, ndeshjet e Euro U21 do të luhen në 4 stadiume; ‘Arena Kombëtare’ dhe ‘Arena e Demave’ në Tiranë, ‘Elbasan Arena’ në Elbasan dhe ‘Loro Boriçi’ në Shkodër. Ende nuk është bërë publike në mënyrë të detajuar shpërndarja e këtij fondi prej 4 milionë eurosh si dhe shuma përfundimtare që do të përfitojë secila prej Federatave.