Bilanci i parë i protestës së 28 Nëntorit: Të lënduar policë, gazetarë dhe protestues
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë bilancin e parë të personave të lënduar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur të lënduar një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëri prej të cilëve shtetase e huaj, si dhe protestues. Të gjithë personat e lënduar janë koshientë dhe në gjendje shëndetësore stabël, ndërsa po marrin trajtim në urgjencë.
Ndërkohë, ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë trajtuar në vendngjarje edhe tre protestues të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e mirë. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk është paraqitur asnjë person i lënduar deri në momentin e raportimit.
Protestuesit janë rikthyer sërish te sheshi 'Skënderbej' dhe kanë sulmuar me shkopinj derën e Teatrit të Kukullave. Më herët në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', protestuesit kanë sulmuar me gurë policinë. Policia ka hedhur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.