Teuta mposht Vorën me përmbysje dhe i afrohet Egnatias
Teuta fitoi ndaj Vorës me rezultatin 3-2 dhe u afrua Egnatias në Kategorinë Superiore.

Teuta regjistroi një tjetër fitore në Kategorinë Superiore duke mposhtur Vorën në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 3-2. Suksesi i Teutës erdhi me përmbysje në rezultat, pasi Vora kishte nisur mirë ndeshjen dhe kishte marrë avantazhin në minutën e 3 me golin e Trajkov.
Skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova reagoi dhe në minutën e 37 barazoi shifrat në 1-1 me golin e Pedro Martelo. Me barazimin 1-1, skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes. Në pjesën e dytë, Teuta kompletoi përmbysjen e rezultatit me Kallakun që i dha avantazhin në 2-1 në minutën e 56, ndërsa në të 69, Boçi shënoi golin që e çoi rezultatin në 3-1.
Në minutat e fundit të sfidës, Vora vetëm sa shkurtoi diferencën në 3-2 me golin e Pedro Clemente, ndërkohë që Teuta mbeti me 10 futbollistë pasi Zogos mori edhe kartonin e dytë të verdhë që u shndërrua në të kuq. Gjithsesi ndeshja u mbyll 3-2 për Teutën që me këtë fitore shkon në 26 pikë dhe redukton diferencën me Egnatian që do të luajë të dielën me Elbasanin, ndërsa Vora mbetet me 13 pikë në vendin e fundit.