Kur Shqipëria u zbulua nga Europa
Në vjeshtën e vitit 1912, gazetat europiane filluan të shpjegojnë lexuesve një vend që po dilte nga rrënojat e Perandorisë Osmane, Shqipërinë.

Në vjeshtën e vitit 1912, gazetat europiane u përpoqën të shpjegonin lexuesve një vend që po dilte nga rrënojat e Perandorisë Osmane. Më 21 nëntor 1912, një javë para shpalljes së Pavarësisë, gazeta franceze Le Temps botoi një artikull me një pyetje në titull: Qu’est-ce que l’Albanie? (Çfarë është Shqipëria?). Për shqiptarët, pyetja kishte një përgjigje që buronte nga gjuha, historia dhe identiteti i tyre. Për lexuesit e gazetës pariziene, përgjigjja ishte më e ndërlikuar.
Shqipëria nuk ishte ende një shtet. Në hartat politike të Evropës, territoret ku jetonin shqiptarët përfshiheshin brenda Perandorisë Osmane. Emrat e qyteteve shqiptare shfaqeshin në shtypin ndërkombëtar kryesisht në lidhje me kryengritjet, luftën dhe interesat e fuqive të tjera. Por në nëntorin e vitit 1912, redaksitë europiane po përballeshin me mundësinë që Shqipëria të mos ishte më thjesht një emërtim gjeografik.
Disa prej titujve të gazetave franceze të asaj periudhe tregojnë ndryshimin e shpejtë të narrativës. Vetëm tri javë para Pavarësisë, Le Petit Parisien kishte raportuar për pushtimin e territoreve shqiptare nga serbët dhe malazezët. Më pas, faqet e gazetave nisën të mbusheshin me diskutime për autonomi shqiptare, interesa italiane dhe austro-hungareze dhe pretendimet për portet e Adriatikut. Gjeografia shqiptare po mësohej përmes konfliktit.
Shkodra ishte Scutari. Durrësi ishte Durazzo. Vlora ishte Valona. Për një lexues të Parisit, Londrës apo Vjenës, këto emërtimet ishin pjesë e një harte që po ndryshonte me një shpejtësi të pazakontë. Në njëfarë mënyre, Shqipëria po detyrohej të i shpjegonte botës se kush ishte, pikërisht në momentin kur duhej të luftonte për të mos u zhdukur prej hartës së saj.
Më 29 nëntor, gazeta gjermane Wiesbadener Tagblatt botoi një njoftim për shpalljen e Pavarësisë dhe ngritjen e flamurit në Vlorë. Raportimi mbështetej në informacionin e agjencisë italiane Stefani dhe përmendte manifestimet e popullsisë para përfaqësive konsullore italiane dhe austro-hungareze. Për lexuesit gjermanë, Shqipëria ishte tashmë një lajm që mbërrinte nëpërmjet një rrjeti ndërkombëtar agjencish, korrespondentësh dhe telegrafësh.
Por për një kategori tjetër lexuesish, lajmi kishte një domethënie më intime. Më 30 nëntor, në Itali, gazeta arbëreshe La Nazione Albanese njoftoi zhvillimet në Shqipëri, duke iu referuar një raportimi të gazetës britanike Daily Telegraph të datës 28 nëntor. Në dhjetor, njoftimet për Pavarësinë do të mbërrinin edhe në faqet e botimeve të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, ndër to gazeta Dielli.
Për shqiptarët që jetonin larg vendit, Pavarësia nuk ishte vetëm një zhvillim në politikën ndërkombëtare. Ishte një ndryshim në marrëdhënien e tyre me vendin e origjinës. Diaspora kishte tashmë një shtet të cilit mund të i referohej. Për dekada, një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë kombëtare shqiptare ishte zhvilluar jashtë territoreve shqiptare. Tani, gazetat që kishin ndihmuar në përfytyrimin e Shqipërisë si bashkësi kombëtare po raportonin krijimin e saj si entitet politik. Në Vjenë, dy javë pas Pavarësisë, kjo histori do të merrte edhe një formë vizuale.