Dëbora zbardh Peshkopinë, trafik në aksin Peshkopi–Maqellarë
Reshjet e dëborës kanë përfshirë qytetin e Peshkopisë dhe zonat e thella malore, duke krijuar vështirësi në qarkullim në një pjesë të aksit Peshkopi–Maqellarë.

Reshjet e dëborës kanë filluar të bien me intensitet të lartë në qytetin e Peshkopisë, duke zbardhur rrugët dhe hapësirat e qytetit brenda pak minutash. Në zonat e thella malore, trashësia e dëborës ka arritur deri në 10 centimetra. Deri më tani, nuk janë raportuar problematika të mëdha në zonat e thella apo në akset rrugore në administrim të Bashkisë Dibër.
Ndërkohë, trafik është krijuar në një pjesë të aksit Peshkopi–Maqellarë, në zonën e Melanit, ku janë konstatuar edhe disa automjete të parkuara në anë të rrugës. Shkak për vështirësitë në qarkullim dyshohet të jetë mosndërrimi në kohë i gomave nga drejtuesit e mjeteve, ndonëse për zonat malore afati i përcaktuar për vendosjen e gomave dimërore është 15 nëntori.