Tensioni në Tiranë: Protesta e 28 Nëntorit shoqërohet me përplasje dhe dhjetëra të lënduar
Protesta e 28 Nëntorit në Tiranë u shoqërua me momente të forta tensioni, përplasje mes protestuesve dhe policisë, duke rezultuar në dhjetëra të lënduar dhe dëmtime në godina institucionesh shtetërore.

Protesta e 28 Nëntorit në Tiranë u karakterizua nga momente të forta tensioni dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Gjatë tubimit, u regjistruan autobotë nën flakë, retë e dendura të tymit që mbuluan bulevardin dhe të rinj që shfaqen duke u koordinuar për hedhjen e bombolave molotov në drejtim të forcave të policisë.
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijuan për orë të tëra, me efektivët e policisë që përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të kontrolluar situatën. Fotografitë dhe videot e kësaj proteste dokumentojnë episode të ndryshme të një dite të tensionuar në kryeqytet, e cila zgjati rreth 10 orë dhe u shoqërua me dhjetëra të lënduar.
Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, 47 persona, mes tyre efektivë policie, protestues, gazetarë, kalimtarë dhe një punonjës sigurie, u paraqitën në strukturat spitalore për të marrë ndihmë mjekësore. Përplasjet u përhapën në disa zona të kryeqytetit, ndërsa u raportuan edhe dëmtime në godina institucionesh shtetërore. Fillimisht tensionet nisën pranë Kryeministrisë, e më pas situata u përshkallëzua edhe në sheshin “Skënderbej”.