Sistan-Baluçistani, një sfidë e rëndë për sigurinë e Iranit
Provinca e Sistan-Baluçistanit në Iran është në një valë të përgjakshme dhune, me grupet e armatosura dhe forcat iraniane të sigurisë që përleshin pothuajse çdo ditë. Grupet separatiste dhe militantët islamistë po i bashkërendojnë përpjekjet për të sfiduar shtetin iranian, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e kahershme të pakicës baluçe.

Provinca e Sistan-Baluçistanit në Iran është në një valë të përgjakshme dhune, me grupet e armatosura dhe forcat iraniane të sigurisë që përleshin pothuajse çdo ditë. Grupet separatiste dhe militantët islamistë po i bashkërendojnë përpjekjet për të sfiduar shtetin iranian, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e kahershme të pakicës baluçe.
Grupet e armatosura baluçe kanë marrë përgjegjësinë për një sërë sulmesh të shpejta e të befasishme, shpërthimesh vdekjeprurëse të bombave në rrugë dhe të shtënash me armë zjarri, që kanë shënjestruar Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), njësinë elitare të forcave të armatosura iraniane, forcën paramilitare Basixh dhe policinë lokale në të gjithë provincën gjatë javëve të fundit.
Një ditë më parë, IRGC-ja njoftoi se një prej anëtarëve të saj ishte vrarë pasi një përpjekje për marrjen e pengjeve shkaktoi përleshje në Zahedan, kryeqytetin e provincës Sistan-Baluçistan. Po ashtu, më 13 tetor, në qytetin Taftan shpërthyen shkëmbime zjarri mes personave të armatosur dhe IRGC-së.
Në përgjigje, autoritetet kanë shtuar operacionet e sigurisë në provincë, përfshirë bastisjet parandaluese kundër celulave të dyshuara kryengritëse, duke nënvizuar kërcënimin në rritje.
Më 11 tetor, Irani ekzekutoi gjithashtu një militant të njohur baluç. Omar Dorostaran ishte dënuar për rebelim të armatosur, anëtarësi në një grup terrorist dhe bashkëpunim në një kryengritje të armatosur.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, pretendoi më 12 tetor se “grupet terroriste” që veprojnë në këtë zonë po zbatonin “plane të hartuara nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara për të destabilizuar kufijtë e vendit”.
Ekspertët thonë se grupet e armatosura po shfrytëzojnë pakënaqësitë e kahershme të pakicës baluçe, shumë prej anëtarëve të së cilës janë myslimanë sunitë, në një Iran me shumicë shiite. Kjo pakicë është përballur prej kohësh me diskriminim dhe dhunë joproporcionale nga autoritetet.
Baluçët përbëjnë rreth 5 për qind të popullsisë së Iranit, prej afërsisht 90 milionë banorësh. Megjithatë, ata përbëjnë rreth 20 për qind të të gjitha ekzekutimeve në vend.