Elisa Spiropali: Protestat nuk janë për kangjellat, por për mënyrën se si vendoset për ta pa prezencën e tyre
Elisa Spiropali shpreh mbështetje për protestat në Shqipëri dhe argumenton se nuk janë për kangjellat, por për mënyrën se si vendoset për ta pa prezencën e tyre.

Përfytyroje veten si demonstrues, në mes të protestës, mes njerëzve që kanë dalë në rrugë sepse ndihen të padëgjuar, të papërfaqësuar, të prerë në besë, të lodhur. Përfytyroje veten jo si kryeministër që e sheh protestën nga larg, përmes ekraneve, por si i ri që qëndron mes turmës, dëgjon britmat, ndjen frikën, dhe konsideron se ky zemërim nuk lindi sot. Gjithçka nisi me kangjellat që u vendosën për të ndarë njerëzit nga hapësira e tyre, qytetarin nga qyteti, protestën nga institucioni. Nga kangjellat erdhëm te zemërimi. Nga zemërimi te përplasja. Dhe ja, sot Tirana është në flakë. Pamje që iu dhemb të gjithë atyre që e duan Shqipërinë me gjithë shpirt. Kjo është pamja që duhet ta shohësh me kthjelltësi: jo vetëm si një varg ngjarjesh, por si një mesazh politik. Kur një qytetar nuk gjen më derë ku të trokasë, ai del në rrugë. Kur rruga nuk dëgjohet, zemërimi bëhet më i fortë. Kur pushteti e sheh çdo kritikë si komplot, çdo protestë si kërcënim, çdo kundërshtar si armik, atëherë shoqëria fillon të flasë me gjuhën e dhunës. Dhuna nuk mund të jetë rruga e ndryshimit politik. As dhuna sistemike e vendimeve të gabuara. Nga protesta, mes zërave, zemërimit dhe frikës, kuptohet më qartë se kriza nuk zgjidhet me deklarata nga zyrat, me distancë nga njerëzit apo me justifikime politike. Ajo kërkon të dëgjosh drejtpërdrejt, të pranosh atë që nuk shkon, të marrësh përgjegjësi politike, dhe të marrësh vendime efektive. Njeriu nuk revoltohet vetëm nga ajo që i mungon. Njeriu revoltohet edhe nga ndjenja se askush nuk e dëgjon. Dhe një pushtet që nuk dëgjon Njeriun, sado i fuqishëm të jetë, fillon të bëhet i brishtë sepse revolton ndjenjën më të thellë njerëzore; dinjitetin. Nëse më pyet çfarë duhet të bësh tani, përgjigjja është e thjeshtë: Jep zgjidhje politike. Pa tabu, pa kufij dhe pa frikë. Mos u fshih pas shumicës, institucioneve, apo numrit të mandateve. Prano se besimi nuk rikthehet me fjalë, por me përgjegjësi dhe veprime. Brenda protestës, të rinjtë e Shqipërisë nuk kërkojnë dhe nuk mjaftohen vetëm me qetësi. Njerëzit kërkojnë drejtësi, dinjitet, transparencë dhe garanci. Zëri i tyre nuk do të dëgjohet vetëm kur rruga mbushet dhe zemërimi bëhet i pamundur për t’u shpërfillur. Këtë herë ata nuk kanë dalë vetëm për kangjellat. Kanë dalë për mënyrën se si vendoset për ta pa prezencën e tyre. Kanë dalë për një administratë ku punësimi shpesh lidhet me arsye obskure, dhe jo me meritën. Kanë dalë se jeta mund t’u ndryshojë nga arbitrariteti, dhe s’kanë ku përplasen. Për një ekonomi ku lidhja me pushtetin vlen më shumë se puna. Përzgjedhja më shumë se konkurrenca. Për një drejtësi që shpesh duket e vonuar. Për një politikë që kërkon votën e tyre, e cila gjithnjë e më pak ndryshon, se fituesit mburren dhe humbësit treten. Për mbrojtjen e të pambrojtëshmes dhe nëpërkëmbjen e moralit politik. Kanë dalë për këto dhe të tjera, por po shpërfillen.