Politikë

Rama fajëson opozitën dhe "duar të huaja" për trazirat në Shqipëri

3 min leximPublikuar më

Burimi: BalkanWeb ·

Kryeministri Edi Rama ka fajësuar opozitën dhe aktorë të huaj për trazirat në Shqipëri, duke pretenduar se ata synojnë të pengojnë përparimin e vendit drejt Bashkimit Europian. Ekspertët e komunikimit dhe qeverisjes shikojnë këtë retorikë si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga shkaqet e protestave dhe përgjegjësia politike e qeverisë.

Foto nga burimi: Revolta e rinisë/ BIRN: “Duart e huaja”, alibi e Ramës për shmangien e përgjegjësisë politike

Pak metra larg sheshit përpara Kryeministrisë, ku policia dhe protestuesit po përplaseshin të enjten në mbrëmje, një grup të rinjsh përpiqeshin t’i shpëtonin gazit lotsjellës duke u larguar drejt zonës së ish-Bllokut, pranë Kryesisë së Kuvendit. BIRN dëshmoi momentin kur dy prej tyre u ndaluan nga dy persona të veshur civilë, të cilët mbanin shkopinj gome në duar. Pasi i futën të rinjtë në një makinë të bardhë, personat u larguan nga vendngjarja.

Ndalimet masive pasuan përshkallëzim të protestave kundër qeverisë, të cilat, pas rreth katër muajsh demonstratash kryesisht paqësore, morën një kthesë të dhunshme të martën, me përfshirjen e studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme. Me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!” dhe “Revolucion”, mijëra të rinj dolën në rrugë, ndërsa protestat u përhapën nga Tirana në qytete të tjera të vendit. Përplasjet me policinë u shoqëruan me përdorimin e gazit lotsjellës, ndalime të protestuesve dhe akte vandalizmi ndaj institucioneve dhe pronave publike e private.

Përballë kësaj vale pakënaqësie, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të fajësojë opozitën dhe aktorë të huaj për dhunën, pa identifikuar publikisht këta të fundit dhe pa paraqitur prova që mbështesin pretendimet për ndërhyrjen e tyre. “Dora e mbrapshtë, dora e vjetër, dora e keqe […] sot mbështetet dhe nga duar të tjera, duar të huaja, duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, deklaroi Rama, duke pretenduar se aktorët që qëndrojnë pas trazirave synojnë të pengojnë përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Ekspertët e komunikimit dhe qeverisjes shikojnë këtë retorikë si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga shkaqet e protestave dhe përgjegjësia politike e qeverisë. “Çdo përpjekje për ta lexuar dhe propaganduar këtë shprehje masive pakënaqësie të të rinjve vetëm si një lëvizje e cila nxitet nga influenca të vendeve të huaja do të ishte një mundësi e humbur për të reflektuar dhe mbajtur përgjegjësi politike në momentin dhe kohën e duhur”, tha për BIRN Elvin Luku, pedagog i gazetarisë. “Në demokraci dorëheqja nuk është as mëkat, as tragjedi, por është akti më fisnik i një politikani”, shtoi ai.

Përkundrazi, ai argumenton se depërtimi i një ndikimi të tillë në shoqëri do të ngrinte pikëpyetje të tjera mbi aftësinë e institucioneve për ta parandaluar atë, duke përbërë një arsye shtesë për të kërkuar llogari nga qeveria. Luku vëren se pretendimet për ndërhyrje të huaja kanë qenë të pranishme në retorikën qeveritare si gjatë muajve të protestave paqësore, ashtu edhe pas përshkallëzimit të tyre. Sipas tij, megjithëse ndikimi i aktorëve të jashtëm është një mundësi që nuk mund të përjashtohet apriori, ai nuk mund të shërbejë si justifikim për shmangien e përgjegjësisë politike.

Përmbajtje e përgatitur me ndihmën e automatizimit dhe me citim të burimit. Citimi nuk përbën verifikim të pavarur.

PARASHIKIMI I MOTIT

Moti në qytetin tënd

Po ngarkohet parashikimi…

Parashikimi nga tani: MET Norway · CC BY 4.0

HOROSKOPI I DITËS

Një çast për veten

Marrëdhëniet

Puna dhe planet

· Lexim për argëtim, i përzgjedhur automatikisht çdo ditë.