"Diaspora po vjen për të detyruar Edi Ramën të japë dorëheqjen"
Aktivisti i diasporës, Florian Açkaj, ka deklaruar se diaspora do të bashkohet me protestat dhe do të kërkojë kallëzim për kryeministër Edi Ramën dhe ministër Ervin Demo për dhunën e pretenduar ndaj të rinjve.

Aktivisti i diasporës, Florian Açkaj, në një prononcim për gazetarin e News24 Klevin Muka, deklaroi se diaspora do t’i bashkohet protestave, ndërsa paralajmëroi një kallëzim në SPAK ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Ervin Demo për dhunën e pretenduar ndaj të rinjve. Açkaj tha se në kallëzim, sipas tij, ka prova për atë që e cilësoi si veprime të rënda. Ai u bëri thirrje edhe prindërve dhe të afërmve të të rinjve që t’i bashkohen protestës. “Diaspora po vjen. Kjo këtu është një kallëzim në SPAK për Ramën dhe Demon, për dhunën që ushtrojnë ndaj rinisë. Aty ka prova për gjëra makabre. Mendoj se duhet të vijnë dhe prindërit e këtyre fëmijëve, kushërinjtë e tyre. Do ta detyrojmë Ramën që të japë dorëheqjen. Unë jam për një qeveri tranzitore dhe më pas zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sot e kisha për të ikur në Zvicër, por e shtyva, se do të vijë edhe diaspora”, u shpreh Açkaj për News24.