PD “distancohet” nga protesta e dhunshme, deklarata e selisë blu për Ilirianën Kuçanën
Partia Demokratike, përmes zëdhënëses Floriana Garo, ka distancuar nga dhuna për herë të parë në protestën katër ditore në Tiranë.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike në emër të selisë blu është distancuar nga aktet e dhunshme të Ilirjana Kuçanës, e cila është zyrtare e Partisë Demokratike, anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe ish-kandidate për deputete. Iliriana Kuçana një ditë më parë, u kap në flagrance me një cantë me mjete piroteknike dhe u shoqërua në komisariat, por sipas Partisë Demokratike, Iliriana Kuçana nuk ka qenë pjesëmarrëse në protestë si anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, por vetëm si pedagoge në përkrahje të studentëve të saj, veprim ky që shënon dhe distancimin e parë të Partisë Demokratike drejtuar nga Sali Berisha nga dhuna e ushtruar në katër ditët e para në protestë. “Krimi i vetëm i Ilirjana Kuçanës është se qëndroi në krahë të studentëve, se u përpoq t’i mbronte ata nga dhuna policore, se zgjodhi të ishte pedagoge, jo spektatore e dhunës së pushtetit ndaj të rinjve”, tha Garo në një deklaratë për mediat, ndërsa shtoi se Kuçana mund të jetë anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, por ajo ishte aty si pedagoge pranë studentëve të saj duke përmbyshur një detyrim moral dhe qytetar.