Rusia mund të tentojë ndërhyrje në Shqipëri për të dobësuar BE-në dhe NATO-në
Analisti Gabriel Partos thotë se Rusia mund të jetë një prej aktorëve të jashtëm që tenton të ndikojë në situatën në Shqipëri, me synimin për të dobësuar Bashkimin Europian dhe Aleancën Euroatlantike.

Analisti Gabriel Partos thotë se Rusia mund të jetë një prej aktorëve të jashtëm që tenton të ndikojë në situatën në Shqipëri, me synimin për të dobësuar Bashkimin Europian dhe Aleancën Euroatlantike. Në një intervistë për Top Channel, Partos tha se Rusia është aktori i jashtëm më serioz që mund të ketë interes për të ndërhyrë apo tentuar të ndërhyjë në Shqipëri.
Partos lidhi një interes të mundshëm të Moskës edhe me procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, duke përmendur Shqipërinë dhe Malin e Zi. "Meqë Shqipëria dhe Mali i Zi janë në radhë për anëtarësim, ka përpjekje për t’i dobësuar dhe penguar në zgjerimin e BE-së. Ky është një objektiv i Rusisë", tha Partos.
Megjithatë, analisti theksoi se një ndërhyrje e mundshme e huaj nuk duhet të shihet si shkaku i protestave në Shqipëri. "Unë nuk besoj se për atë çfarë e ka shkaktuar duhen fajësuar aktorë të huaj prej vendeve të tjera", tha ai.
Partos solli si shembull debatin për ndikimin rus në referendumin e Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar se edhe në atë rast ndërhyrja e pretenduar nuk konsiderohej faktori vendimtar. "Përsëri kur flasim për Shqipërinë sot, mund edhe të ketë ndërhyrje të Rusisë në mënyrë të posaçme. Mund të ketë edhe akuza për Serbinë. Në përgjithësi nëse ka apo nuk ka ndërhyrje të huaja, ju nuk mund ti fajësoni për këto protesta serioze, forca të huaja", tha analisti Partos.