OKB në Shqipëri: Dhuna dhe shkatërrimi i pronës janë të papranueshëm në një shoqëri demokratike
Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka përsëritur thirrjen për dialog konstruktiv për uljen e tensioneve në vend, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave themelore dhe të standardeve demokratike.

Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka përsëritur thirrjen për dialog konstruktiv me qëllim uljen e tensioneve në vend, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave themelore dhe të standardeve demokratike. Në mesazhin e saj, OKB nënvizon se aktet e dhunës dhe shkatërrimi i pronës publike apo private janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike e paqësore.
Një tjetër pikë e rëndësishme e apelit është mbrojtja e së drejtës për tubim paqësor dhe e lirisë së shtypit, të cilat cilësohen si të drejta themelore që duhet të respektohen dhe të garantohen. OKB thekson gjithashtu se veprimet e forcave të rendit duhet të jenë në përputhje me parimin e proporcionalitetit, ndërsa çdo person duhet të gëzojë garancitë për një proces të rregullt ligjor.
Apeli vjen në një klimë tensionesh në vend, ku thirrja për dialog, respektimin e lirive themelore dhe shmangien e dhunës mbetet në qendër të mesazhit të organizatës ndërkombëtare.