Protestuesit zbarkojnë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, policia merr masa të forta sigurie
Protestuesit janë në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' përpara godinës së Kryeministrisë, ndërkohë që policia ka marrë masa të forta për sigurinë.

Ka nisur grumbullimi i protestuesve në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', përpara godinës së Kryeministrisë, ku një numër i madh qytetarësh po mblidhen për të marrë pjesë në protestën e sotme. Ndërkohë, në anën tjetër të bulevardit, forcat e policisë janë pozicionuar përpara godinës së Kryeministrisë, duke marrë masa për sigurimin e perimetrit të institucionit. Në terren janë vendosur edhe efektivët e Forcave të Ndërhynies së Shpejtë, së bashku me dy autobote me ujë, të cilat janë pozicionuar pranë godinës qeveritare për t'u përdorur në rast të përshtatimit të situatës. Një tjetër masë e marrë nga autoritetet është edhe largimi i gurëve nga trotuaret anësore të bulevardit. Kjo masë vjen pas incidenteve të regjistruara gjatë ditëve të fundit, kur protestuesit kanë përdorur gurë dhe materiale të tjera të forta për të goditur godinat e institucioneve. Largimi i gurëve synon të kufizojë mundësinë e përdorimit të tyre gjatë protestave dhe të parandalojë incidente të ngjashme me ato të ditëve të mëparshme. Prania e shtuar e forcave policore, vendosja e autoboteve me ujë dhe masat parandaluese në hapësirat përreth Kryeministrisë tregojnë përgatitjet e autoriteteve për të menaxhuar situatën në rast të tensioneve.