Komisioni Evropian reagon për protestat në Shqipëri
Komisioni Evropian ka reaguar për përshkallëzimin e protestave në Shqipëri dhe ka dënuar aktet e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera.

Komisioni Evropian ka lëshuar një deklaratë për përshkallëzimin e protestave në Shqipëri. Në deklaratën e tyre, ata kanë dënuar zjarrvënie, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Ata kanë theksuar se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe se personat përgjegjës duhet të japin llogari përmes procedurave të rregullta ligjore.
Njëkohësisht, Komisioni Evropian ka rikujtuar se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Ata kanë mirëpritur angazhimin e autoriteteve shqiptare për të garantuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe kanë theksuar rëndësinë e ruajtjes së këtyre lirive gjatë përballimit të situatës së krijuar.
Komisioni Evropian ka lidhur situatën edhe me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe ka vënë në dukje se, në një vend kandidat që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe që ka shënuar përparim në këtë rrugë, pakënaqësitë duhet të adresohen përmes dialogut konstruktiv dhe paqësor.