Kryepeshkopi Joan: Shqipëria është e të gjithëve dhe duhet të shërbejnë të gjithë shoqërisë
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joan Pelushi, ka bërë thirrje për maturi dhe përgjegjësi nga drejtuesit e vendit, duke theksuar se vendimet për kapërcimin e situatës duhet t'i shërbejnë të gjithë shoqërisë.

Kryepeshkopi Joan Pelushi ka bërë thirrje të dielën për maturi dhe përgjegjësi nga drejtuesit e vendit, duke theksuar se vendimet për kapërcimin e situatës së krijuar nga protestat duhet t'i shërbejnë të gjithë shoqërisë. Gjatë Liturgjisë Hyjnore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Kryepeshkopi Joan u lut që drejtuesit dhe personat me përgjegjësinë e vendimeve të tregojnë urtësi përballë tensioneve që kanë përfshirë vendin. “Lutemi që Perëndia t’i ndriçojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve, të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të të gjithë vendit. Sepse Shqipëria është e të gjithëve”, deklaroi ai. Kryepeshkopi theksoi se çdo qytetar ka të drejtën të marrë pjesë në ndërtimin e së ardhmes së vendit, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes dhe përgjegjësisë së përbashkët. “Të gjithë ata që banojnë këtu janë pjesë e saj dhe të gjithë kanë të drejtën për të marrë pjesë në ndërtimin e saj”, shtoi ai. Apeli i Kryepeshkopit vjen në ditën e gjashtë të protestave studentore dhe qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë, qindra të lënduar dhe dëmtime të pronës publike e private. Edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kërkoi të dielën që institucionet t'u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin dhunën dhe të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut.