Policia reagon për tensionet te selia e PD-së: Na sulmuan me molotovë, përdorëm gaz lotsjellës
Policia e Shtetit ka reaguar pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës në Tiranë, duke deklaruar se efektivët janë sulmuar me molotovë nga një grup personash të maskuar.

Policia e Shtetit ka reaguar pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës në Tiranë, duke deklaruar se efektivët janë sulmuar me molotovë nga një grup personash të maskuar, të cilët më pas janë futur në ambientet e jashtme të selisë së Partisë Demokratike.
Sipas policisë, një grup personash të cilësuar si të dhunshëm dhe të maskuar kanë sulmuar me molotovë punonjësit e policisë. Për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga efektivët, ata janë futur në ambientet e jashtme të selisë së Partisë Demokratike, ku, sipas versionit zyrtar, kanë vijuar sulmin ndaj forcave të rendit.
Policia bën me dije se, në përgjigje të sulmit me molotovë, efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës. Në reagimin e saj, Policia e Shtetit i cilëson pretendimet e tjera mbi ngjarjen si të pavërteta dhe dashakeqe, duke pretenduar se ato synojnë të fshehin të vërtetën mbi atë që ka ndodhur gjatë protestës.
Ngjarja vjen pas tensioneve të shënuara në kryeqytet, ku një pjesë e protestuesve janë futur në ambientet e selisë së PD-së, ndërsa forcat e policisë kanë qëndruar jashtë godinës.