Komisioni Europian dënon dhunën në protesta në Shqipëri
Komisioni Europian ka dënuar përdorimin e dhunës gjatë protestave studentore dhe qytetare në Shqipëri, duke kërkuar që autoritetet të respektojnë parimin e proporcionalitetit në përdorimin e forcës.

Komisioni Europian ka reaguar të dielën ndaj përshkallëzimit të dhunës gjatë protestave studentore dhe qytetare në Shqipëri. Deklarata e Komisionit Europian deklaroi se dënon përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private.
Reagimi i Brukselit vjen në ditën e gjashtë të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë, qindra të lënduar dhe dëmtime të shumta materiale. Komisioni theksoi se dhuna është e papranueshme në një shoqëri demokratike, por paralajmëroi se reagimi i autoriteteve duhet të mbetet brenda kufijve të ligjit.
“Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda ligjit dhe të jetë proporcional”, thuhet në deklaratë. Brukseli kërkoi gjithashtu që personat përgjegjës për aktet e dhunës të mbajnë përgjegjësi përmes procedurave të rregullta ligjore.
Duke iu referuar raportimeve për ndërhyrjet policore gjatë protestave, Komisioni rikujtoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera europiane që duhet të respektohen. “Mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare se e drejta për të protestuar do të mbrohet”, theksoi Komisioni.
BE e vendosi situatën edhe në kontekstin e procesit të integrimit të Shqipërisë, duke theksuar se pakënaqësitë qytetare duhet të trajtohen përmes dialogut. “Në një vend kandidat, të angazhuar fort në procesin e anëtarësimit në BE dhe që po shënon përparim të rëndësishëm në këtë rrugë, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore”, përfundon deklarata.