Kategorina: Aktualitet
KShH ngre alarmin për dhunën policore gjatë protestave: Të mitur me dëmtime fizike dhe kushte të papërshtatshme në paraburgim

KShH ngre alarmin për dhunën policore gjatë protestave: Të mitur me dëmtime fizike dhe kushte të papërshtatshme në paraburgim
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ngritur shqetësimet e tij për trajtimin e protestuesve të ndaluar në Tiranë, duke vënë në fokus pretendimet për dhunë policore, veçanërisht ndaj të miturve. Në deklaratën e publikuar më 18 tetor, organizata kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv për rastet e raportuara. Kjo duke theksuar se verifikimi duhet të përfshijë jo vetëm efektivët e dyshuar për ushtrim dhunë, por edhe përgjegjësitë e mundshme të drejtuesve policorë.
Shqetësimet e KShH-së janë mbështetur edhe në monitorimin e kryer më 16 tetor në ambientet e sigurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Sipas organizatës, janë konstatuar mbipopullim dhe kushte të papërshtatshme, me tre deri në katër persona të vendosur në dhoma të projektuar për një person, kryesisht të mitur.
Mungesa e shtresave dhe pajisjeve bazë për fjetje, si dhe pretendimet për dhunë fizike, mungesa të kujdesit shëndetësor dhe pengesa në komunikimin me familjarët e avokatët, përbëjnë shqetësimet që kërkojnë verifikim të plotë. KShH bën me dije se monitoruesi ka konstatuar dëmtime të dukshme fizike në disa raste dhe se një i mitur është dërguar për herë të dytë në Spitalin e Traumes gjatë monitorimit.
Organizata thekson se e drejta për protestë paqësore duhet të garantohet dhe se çdo ndërhyrje policore duhet të jetë e ligjshme, e domosdoshme dhe proporcionale. Ajo kërkon nga Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore të hetojnë me prioritet pretendimet për dhunë e keqtrajtim, si dhe të sigurojnë ruajtjen e pamjeve filmike dhe provave mjekoligjore.
Në mënyrë të ngjashme, Policia e Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme u kërkojnë të marrin masa për përmirësimin e kushteve të ndalimit dhe garantimin e të drejtave procedurale, me vëmendje të veçantë ndaj mbrojtjes së të miturve.