Qetësohet situata në Tiranë, policia shoqëron protestuesit
Qetësohet situata në Tiranë pas disa orësh kaosi, policia nis shoqërimin e protestuesve

Pas një dite të gjashtë të tensionuar, me përplasje në disa zona të kryeqytetit, sulme ndaj institucioneve dhe ndërhyrje të vazhdueshme me gaz lotsjellës, situata në Tiranë është qetësuar. Forcat e policisë kanë nisur patrullimet në rrugët e qytetit dhe po shoqërojnë një numër të madh protestuesish.
Situata në Tiranë është qetësuar mbrëmjen e së dielës, pas orësh të gjata përplasjesh mes protestuesve kundër qeverisë së Edi Rama dhe forcave të policisë. Ndërsa grumbullimet dhe konfrontimet në rrugë janë zbehur, efektivët kanë nisur patrullimet në disa zona të kryeqytetit.
Policia po kryen shoqërimin e shumë protestuesve pas incidenteve të regjistruara gjatë ditës. Nënderhyrjet për shoqërimin e personave po zhvillohen pas një proteste që u shtri në disa prej aksieve kryesore të Tiranës dhe u shoqërua me përdorim të gazit lotsjellës, ujëhedhësesh, gurëve, fishekzjarëve dhe koktejve Molotov.
Një nga përplasjet e fundit u regjistrua pranë selisë së Partisë Demokratike, ku shumë protestues hynë për t'u shmangur ndjekjes së policisë. Efektivët hodhën sasi të mëdha gazi lotsjellës në oborrin e godinës, ndaluan disa persona dhe vendosën një kordon te porta e jashtme. Nga selia dolën deputetë demokratë, ndërsa në vendngjarje mbërriti edhe një ambulancë.
Nënderhyrja shkaktoi reagimin e drejtuesit të PD-së, Sali Berisha, i cili akuzoi kryeministrin Rama se kishte tentuar të manipulonte protestën dhe e cilësoi përdorimin e gazit në ambientet e selisë së opozitës një veprim hakmarrës të policisë.
Gjatë së dielës, tensionet përfshinin edhe selinë e Partisë Socialiste, e cila u sulmua dy herë. Në incidentin e parë, persona që dolën nga godina me shkopinj druri u përballën me demonstruesit, ndërsa në sulmin e dytë protestuesit hodhën gurë dhe koktej Molotov drejt selisë socialiste.
Përplasje u regjistruan gjithashtu pranë Kryeministrisë, në Sheshin Skënderbej dhe te Ministria e Brendshme, ku hyrja kryesore u perfshi nga flakët pas hedhjes së mijevës ndezëse. Një tjetër zjarr shpërtheu në katin e parë të Komisariatit Nr. 3 pas hedhjes së koktejve Molotov.
Më vonë, demonstruesit u zhvendosën në Rrugën Bardhyl, ku u sulmua një filial i Intesa Sanpaolo Bank, përpara se marshimi të mbërrinte te kryqëzimi i QSUT-së. Aty policia u doli përpara protestuesve dhe përdori sërish gaz lotsjellës gjatë përplasjeve.
Përgjatë ditës, forcat e rendit përdorën edhe automjete ujëhedhëse, ndërsa pranë Kryeministrisë u vendosën forcat speciale RENEA me mijetë të blinduara për sigurimin e godinës.
Tashmë, pas qetësimit të situatës, vëmendja e policisë është përqendruar te patrullimet dhe shoqërimi i protestuesve. Këto veprime pasojnë një ditë gjatë së cilës përplasjet u zhvendosën vazhdimisht nga një zonë e Tiranës në tjetrën, ndërsa demonstruesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Media që s’e dorëzon pavarësinë e saj, i paraprine një qeverisje te ndershme. Pamfleti është një platformë mediatike analitike që u “lind” si domosdoshmëri e një tribune pa kompromis, si një zë i fuqishëm në luftën pa ekuivok ndaj krimit dhe korrupsionit politik në Shqipëri.