ECPMF dënon sulmet ndaj gazetarëve gjatë protestave në Shqipëri
Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dënon sulmet ndaj gazetarëve gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri, duke shprehur shqetësim për përdorimin e dhunës, kërcënimet dhe pengimin e punonjësve të medias gjatë raportimit.

Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dënoi sulmet ndaj gazetarëve gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri, duke shprehur shqetësim për përdorimin e dhunës, kërcënimet dhe pengimin e punonjësve të medias gjatë raportimit. Në një reagim publik, organizata europiane për mbrojtjen e lirisë së medias iu referua të dhënave të Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), sipas së cilës, gjatë protestave të zhvilluara nga 15 deri më 18 tetor janë dokumentuar të paktën 25 incidente ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias. Sipas AGSH-së, shumica e incidenteve lidhen me veprime të raportuara të punonjësve të Policisë së Shtetit, ndërsa në dy raste gazetarët janë sulmuar nga protestuesit. Në një incident tjetër, persona të maskuar dhe të paidentifikuar kanë penguar punën e gazetarëve në prani të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hita. ECPMF i kërkoi Hitës të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe konkrete për të garantuar respektimin e punës së gazetarëve nga efektivët e policisë dhe sigurinë e tyre gjatë mbulimit të protestave. Organizata i bëri gjithashtu thirrje drejtuesit të policisë të nisë urgjentisht një dialog me Shoqatën e Gazetarëve të Shqipërisë dhe organizata të tjera mediatike për hartimin e protokolleve të sigurisë për gazetarët që raportojnë nga demonstratat dhe aktivitetet publike. Sipas ECPMF-së, këto protokolle duhet të përcaktojnë procedura të qarta për identifikimin dhe mbrojtjen e gazetarëve, parandalimin e ndërhyrjeve në punën e tyre dhe reagimin ndaj incidenteve të raportuara. Organizata kërkoi që çdo punonjës policie i përfshirë në abuzime ndaj gazetarëve t'i nënshtrohet hetimeve të pavarura dhe të paanshme dhe, nëse provohet përgjegjësia, të përballet me drejtësinë. “Shteti shqiptar ka përgjegjësinë të garantojë që gazetarët të mund ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të sigurt dhe të pavarur, veçanërisht gjatë protestave dhe aktiviteteve të tjera publike”, theksoi ECPMF. Reagimi vjen pas gjashtë ditësh protestash kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të shoqëruara me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe forcave të rendit, përdorim të gazit lotsjellës dhe arrestime të shumta. Gjatë këtyre protestave, gazetarë dhe operatorë të medias kanë raportuar raste dhune fizike, pengimi të raportimit dhe ndërhyrje nga efektivë policie, duke ngritur shqetësime për respektimin e lirisë së medias gjatë operacioneve për ruajtjen e rendit publik. ECPMF theksoi se punonjësit e policisë duhet të tregojnë vetëpërmbajtje, të respektojnë lirinë e shtypit dhe të garantojnë që gazetarët të raportojnë pa frikë nga kërcënimet, pengesat apo dhuna.