Policia e Shtetit informon për një mesazh kërcënues për akte terroriste
Policia e Shtetit njoftoi se është evidentuar një mesazh elektronik i llojit email që përmban kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste.

Policia e Shtetit njoftoi të hënën më 19 tetor se ditën e sotme është evidentuar një mesazh elektronik i llojit email, i dërguar në disa adresa të institucioneve, që përmban kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste. Sipas policisë, nga verifikimet paraprake rezulton se mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite. Në njoftim bëhet me dije se mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe kërcënuese janë dërguar nga adresa elektronike të kompromentuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit. Policia bënë me dije se po heton për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij. Gjatë javës së fundit, kur në kryeqytet dhe në disa qarqe të vendit janë zhvilluar protestat e të rinjve që kanë çuar në përplasje të dhunshme mes tyre dhe policisë, nga ana e Policisë së Shtetit dhe nga kryeministri Edi Rama është deklaruar se këto protesta po organizohen nga faktorë të jashtëm e të brendshëm, për qëllime të errëta. Drejtori i Policisë, Skënder Hita deklaroi më 15 tetor, se pas maskave qe udhëheqin protestën janë individë te rekrutuar për qëllimet e errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste, brenda e jashtë vendit. Kryeministri Edi Rama ka fajësuar opozitën dhe forca të huaja, duke pretenduar se synonin destabilizonin e vendit dhe pengimin e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Të hënën, kryeministri Edi Rama akuzoi Rusinë, Iranin dhe lëvizjen ANTIFA për nxitjen e protestave kundër qeverisë, pa paraqitur prova për pretendimet e tij. Ai premtoi shpërblime prej 2,500 eurosh për policët dhe paralajmëroi sanksione financiare ndaj studentëve dhe familjeve të të miturve të përfshirë në akte dhune. Komisioni Europian ka dënuar aktet e dhunës dhe sulmet ndaj institucioneve gjatë protestave kundër qeverisë së Edi Ramës, por ka theksuar se ndërhyrjet e autoriteteve duhet të jenë të ligjshme dhe proporcionale, duke garantuar të drejtën e tubimit paqësor.